Avokati i Popullit shqyrton pezullimet e lejeve

15/08/2017 00:00

Avokati i Popullit njofton se ka nisur me iniciativë dhe në mënyrë të pavarur shqyrtimin e rastit të pezullimit të lejeve të zakonshme për punonjësit e Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

“Një urdhër i titullarëve të këtij institucioni i ka njoftuar në mënyrë të papritur punonjësit e Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, se të gjitha lejet e zakonshme vjetore të miratuara, do të ndërpriten në mënyrë të menjëhershme. Lejet e zakonshme vjetore të punonjësve janë një e drejtë që garantohet me ligj në Republikën e Shqipërisë, ndaj zyra e Avokatit të Popullit ka nisur punën për të verifikuar nëse ky rast paraqet elementë të shkeljes së Kodit të Punës dhe të drejtave të punonjësve. Ndërprerja e njëanshme e lejeve vjetore që punonjësit kalojnë me familjen është vetëm një nga aspektet e zakonshme të abuzimeve me të drejtat e tyre nga titullarë dhe institucione të ndryshme në vendin tonë. Gjithashtu edhe presionet, intimidimet, shkarkimet e pajustifikuara si dhe dorëheqjet e detyruara rezultojnë nga ankesat e qytetarëve të jenë një realitet i pranishëm në administratë. Një numër i madh ankesash e shqetësimesh të kësaj natyre parashtrohen çdo ditë në Institucionin e Avokatit të Popullit si dhe gjejnë pasqyrim të vazhdueshëm në media. Zyra e Avokatit të Popullit pas përfundimit të shqyrtimit të çështjes do të dalë me konkluzionet përkatëse në lidhje me rastin”, lexohet në njoftimin e Avokatit të Popullit.

Top Channel