Era e rëndë në Elbasan, ndërhyrje në kanalet e ujërave të zeza

07/08/2017 00:00

Prej më shumë se 10 ditësh, qytetarët e lagjes “Skënderbej” në Elbasan kanë shprehur shqetësimin për një erë të rëndë, e cila vjen sidomos gjatë natës.

Ndërkohë, akuzat e para për këtë situatë janë drejtuar nga Impianti i Përpunimit të Mbetjeve Urbane. Top Channel kërkoi një reagim nga përfaqësuesit e kompanisë, të cilët lejuan ndjekjen nga afër të procesit të përpunimit.

“Këtu jemi në Impiantin e Përpunimit të Mbetjeve Urbane në Elbasan. Pas nesh, siç e shihni, është oxhaku që emeton në ambient tymrat, të cilat çlirohen nga djegia. Edhe pse në këto momente, siç edhe e shihni po punohet me intensitet të plotë, në atë oxhak nuk çlirohet asgjë. Temperatura e lartë e furrës nuk lejon asnjë ndotje në atmosferë dhe emetimet këtu janë konform normave të BE-së. Dua të shtoj se sistemi ynë i monitorimit të ndotjes funksionon 24 orë në 7 ditë dhe është lehtësisht i monitorueshëm nga çdo autoritet”, deklaroi Roberto Rodella, drejtues teknik i “Energy Recuperatore”.

Ndërkohë, Inspektoriati i Mjedisit pranë Bashkisë së Elbasanit shpjegoi se mungesa e reshjeve ka bërë që kanalet e ujërave të zeza të mos bëjnë tërheqjen e plotë, duke detyruar këtë të fundit që të ndërhyjë me anë të zjarrfikëseve për shplarjen e kanaleve.

“Në 72 orët e fundit kemi ngritur grupe monitorimi të të gjithë situatës. Këtu ku jemi, në përroin e Zaranikës, ka edhe mbetje të hedhura nga qytetarët, të cilat nga temperaturat e larta dekompozohen dhe çlirojnë këto erëra të rënda”, deklaroi Taulant Sinanaj, përgjegjës në Inspektoriatin e Mjedisit.

Bashkia e Elbasanit kërkoi edhe bashkëpunimin e qytetarëve që të mos hedhin mbetjet urbane në përrenjtë që kalojnë pranë lagjeve, siç janë ai i Manazeres dhe ai i Zaranikës, pasi temperaturat e larta ndikojnë në çlirimin e gazrave ndotës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA