Infrastruktura në Farkë, Veliaj: Është bërë kërdia, do të sjellim urbanizim

06/08/2017 00:00

Bashkia e Tiranës ka nisur punimet për shtrimin e rrugës Alla   në Farkë si dhe hapjen e segmentit të ri që lidh atë me një bllok banimi ku është ndërtuar pa menduar për infrastrukturën  dhe urbanizimin.

“Kjo është një lagje e mbipopulluar, kryesisht nga lejet e dhëna nga ish-komuna Farkë, pa menduar fare për urbanistikën, se ku do të jenë kanalizimet, asfalti dhe trotuari, pa menduar se ku do të jenë shkollat, kopshtet e çerdhet. Këto janë sfida e bashkisë sonë, që në shumë prej komunave që ka trashëguar, si këtu në Farkë, si në Kashar, ku vitet e fundit ndërtimet kanë bërë kërdinë, tani na duhet të sjellim edhe urbanizimin”, tha Veliaj.

Kryetari i bashkisë u kërkon qytetarëve që më parë se të blejnë apartamente në këtë zonë, të pyesin për dokumentat si dhe mundësinë për të patur akses në shërbime publike si ujë, rrugë etj.

“Dua po ashtu t’u bëj një thirrje të gjithë qytetarëve, për të kuptuar se është normale që të kërkojnë ndihmën e shtetit në situatë krize, në situatë zjarri, në situatë të thatësirës, por a nuk do ishte më mirë ta kërkonim ndihmën e shtetit që në fillim, kur marrim vendime për të banuar diku? Ajo që do të ishte e udhës është që përpara se qytetarët të blejnë një banesë, të pyesin a ka ujë me rrjet apo ka ujë me pus, ka leje ndërtimi, leje shfrytëzimi dhe letrat në dorë të Hipotekës apo thjesht po i vëmë paratë e kursimet tona në një gropë të zezë, e cila momentalisht mund të na japë një strehim, ama në afatgjatë sjell të gjithë këto problematika”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku premtoi se do të bëjë të pamundurën për të sistemuar edhe këto zona ku lejet e ndërtimit ishin kthyer në biznes: “Po bëjmë maksimumin që t’i sistemojmë e t’i urbanizojmë këto zona që i gjetëm në një situatë katastrofë. Por, nga tani e tutje lipset që, para se të vëmë kujën ku është shteti, ta kërkojmë shtetin që në fillim, përpara se të vëmë të gjitha kursimet e jetës sonë në një banesë që s’ka as hipotekë, as ujë, as shërbime dhe vetëm pasi zbulojmë që e gjithë kjo ishte një piramidë ndërtuesish, atëherë kujtohemi që të kërkojmë këto lloj shërbimesh”.

Këto investime lidhen me projektin e madh për rehabilitimin e Kopshtit Botanik dhe atij Zoologjik duke nisur si fillim me rrugët, sitemimin e ujrave, rrjetin inxhinierik e të tjera.

Top Channel