Atentati te “Komuna e Parisit”, arrestohen 4 persona

06/08/2017 00:00

Tre ditë pas tentativës për vrasjen e Mariglen Hoxhës, i njohur edhe me emrin Lorenc, i cili mbeti i plagosur me një plumb në shpatull, Policia e Tiranës ka bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar dhe tre bashkëpunëtorëve të tij.

Pas operacionit policor të koduar “Poker” u vunë në pranga Dejvis Rustemaj, 27 vjeç, i dyshuar si autor i tentativës së vrasjes si dhe 3 bashkëpunëtorët e tij: Klajdi Kodra, Igler Qose dhe Ardit Xheferri. Të ndaluarit janë kapur në qytetin e Vlorës, ku kishin ikur për t’i shpëtuar ndjekjes së policisë.

Sipas uniformave blu, ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, ndërsa si autori dhe shënjestra lëviznin me automjetet respektive dhe autori i dyshuar ka qëlluar në ecje e sipër, duke rrezikuar edhe kalimtarë të rastit. Sipas burimeve policore, autori i dyshuar i atentatit, Dejvis Rustemaj, është i njohur nga Policia e Tiranës, pasi tre muaj më parë i ka shpëtuar një atentati në zonën e Kinostudios, në Tiranë, ku mbeti i plagosur në këmbë.

Gjithashtu, edhe bashkëpunëtori tjetër, Klajdi Kodra është person me precedentë të mëparshëm penalë në plagosjen e vëllezërve Cullaj për shkak të një borxhi.

Pas arrestimit, policia ka sekuestruar mjetin tip BMW X5 me të cilën lëvizte autori i dyshuar si dhe tre telefona celularë. Ndaj të ndaluarve janë ngritur akuzat e vrasjes së mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim dhe përkrahje e autorit të krimit.

Top Channel