Veliaj: Qytetarët të bashkëpunojnë për lirimin e hapësirave

04/08/2017 00:00

Kreu i bashkisë Erion Veliaj u ka kërkuar banorëve të një blloku banimi në Selitë që të jenë bashkëpunues për të liruar hapësirat që pengojnë projektet e rehabilitimit.

“Kjo është një lagje kufitare midis njësisë 5 dhe 6, kryesisht me ndërtime informale. 90% e qytetarëve janë bashkëpunues, edhe ai 10% që nuk është bashkëpunues, duhet të kuptojë që përpara se të na vijë civilizimi në tokë, duhet të na vijë civilizimi në kokë dhe nëse nuk bashkëpunojmë me Bashkinë, që edhe në 40 gradë është duke punuar me të njëjtin ritëm si në çdo ditë të vitit, atëherë do të jetë shumë e vështirë që të kemi Tiranën ëndrrave tona”, tha ai.

Duke u ndalur në çështjen e zjarreve në Tiranë, Veliaj siguroi se të gjithë institucionet janë në krye të detyrës për përballimin e situatës. Ai u bëri thirrje banorëve që jetojnë në zonat përreth Tiranës që të sinjalizojnë sa më parë çdo rast, pasi kështu mund të shmangen dëme të parikuperueshme në pyje dhe pronën e banorëve.

“Të gjithë kolegët e Bashkisë janë në krye të detyrës, sidomos ata që po merren me situatën e vështirë të zjarreve në zonat periferike, kryesisht ajo e Krrabës, Ibës, Dajtit, zona e Kasharit. Fatmirësisht në shumicën e rasteve, edhe falë kontributit të qytetarëve që kanë lajmëruar në kohë, i kemi shuar zjarret brenda pak orëve. Megjithatë, kërkohet që të jemi të gjithë të vëmendshëm, të lajmërojmë në kohë. Sa më vigjilentë të jemi, sa më shpejt të njoftohemi, aq më nën kontroll mund të mbajmë situatën e zjarreve”, tha ai.

Kryebashkiaku kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve sa i përket situatës së furnizimit me ujë të pijshëm në një kohë që vendi ynë po përballet me temperatura të larta dhe me një thatësirë të zgjatur. Veliaj deklaroi se situata është nën kontroll në mbi 90% të territorit, ndërsa në zonat e tjera furnizimi po realizohet me ndihmën e boteve në mënyrë që qytetarët të mos vuajnë mungesën e ujit.

Në bllokun e banimit në zonën e Selitës në njësinë administrative Nr. 5 në kryeqytet po punohet për rikonstruksionin e plotë të rrjetit rrugor, ndërtimin e kanalizimeve të ujërave të zeza, ndriçimit rrugor si dhe të gjelbërimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA