
Policia e Tiranës ka shpallur në kërkim 4 persona për atentatin ndaj 25-vjeçarit Lorenc Hoxha në “Komunën e Parisit”, mbrëmjen e së enjtes.
Sipas hetimeve, autorët e moshës nga 23 deri 27 vjeç lëviznin me një automjet BMW X5 dhe kanë tentuar që në bashkëpunim të vrasin më armë zjarri dy të rinjtë e tjerë që lëviznin me mjetin Mercedes Benz.
Sipas burimeve, ngjarja e ka zanafillën tek një sherr banal që të rinjtë, shumica prej të cilëve nga Bulqiza, por me banim në Tiranë, janë përfshirë disa ditë më parë.
I plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa policia zhvilloi disa kontrolle në orët e para të së premtes, në disa lokale ku dyshohej se ishin fshehur autorët pas ngjarjes.
Nga kamerat e sigurisë së disa bizneseve autorët duken teksa ndjekin Mercedesin e bardhë dhe qëllojnë në lëvizje e sipër, duke rrezikuar edhe jetën e kalimtarëve.
Edhe i plagosuri Hoxha, i cili drejtonte mjetin, ka bërë manovra të rrezikshme duke braktisur mjetin pas plumbit që mori në shpatull.
Top Channel