Kokaina në Tiranë, burg për dy të rinjtë

04/08/2017 00:00

Gjykata e Tiranës vendosi masat e sigurisë “arrest me burg” për dy të rinjtë të cilët u arrestuan me mbi 400 gramë kokainë dhe që u përplasën me forcat e policisë mbrëmjen e së martës në rrugën “Don Bosko”, në tentativë për t’i shpëtuar arrestimit.

Për Ardit Muratin, seanca e masës u zhvillua në Gjykatën e Tiranës, ndërsa për bashkëpunëtorin e tij, Blendi Peca, në ambientet e Spitalit të Traumës, ku ai ndodhet i plagosur, pasi gjatë arrestimit mori një plumb në këmbë.

Të dy të arrestuarit akuzohen për katër akuza, kundërshtim dhe mosbindje ndaj punonjësit të policisë, mbajtje pa leje të armëve të ftohta dhe prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Të dy të akuzuarit mësohet se nuk kanë dhënë shumë shpjegime para gjykatës, ndërsa prokuroria ka parqitur një sërë provash të siguruara në kushtet e flagrancës, duke e bindur plotësisht gjykatën në caktimin e masave të sigurisë “arrest me burg”.

Ndërkohë, babai i Arditit, Shehati Murati u lirua nga gjykata, e cila caktoi masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”, ndërsa vëllai i Arditit, Arbër Murati vazhdon të jetë në kërkim policor, pasi arriti t’i shpëtonte arrestimit pas operacionit policor.  

Ndërkohë, në lidhje me këtë operacion, ka nisur një hetim edhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme për të verifikuar planin e masave dhe veprimet e policisë, duke qenë se gjatë operacionit pati të shtëna me armë dhe u rrezikua jeta e efektivëve si dhe e kalimtarëve të rastit.

Top Channel