Pogradec, nga fjalët shkojnë tek armët; policia parandalon konfliktin

03/08/2017 00:00

Dy persona në fshatin Tushemisht janë konfliktuar pasditen e së enjtes në mes të rrugës për motive të dobëta.

Personat në fjalë janë identifikuar me inicialet A.P dhe G.Xh, përkatësisht 25 dhe 33 vjeç, të dy banues në Pogradec.

Pas përplasjes shtetasi A.P ka shkuar në banesën e tij në fshatin Tushemisht dhe ka marrë një armë zjarri tip Kallashnikov, me qëllim që të ndiqte 33-vjeçarin.

Ai ka hyrë në një lokal, që thuhet se frekuentohej edhe nga shtetasi G.Xh, për ta kërkuar atë. Por reagimi në kohë i policisë ka bërë të mundur parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit midis tyre.

Sapo ka parë shërbimet e policisë, 25-vjeçari është larguar me shpejtësi. Nga ana e policisë janë ngritur grupe kontrolli dhe po vijon krehja e zonës për kapjen e tij.

Top Channel