Tiranë, kapen 435.2 gramë kokainë

02/08/2017 00:00

Policia e Tiranës ka dhënë detaje të reja lidhur me aksionin e mbrëmjes të së martës, ku në pranga ranë 3 persona, ndërsa një i katërt është shpallur në kërkim.

Në përfundim të operacionit të koduar “Përpjekja e dështuar”, janë sekuestruar 435.2 gramë kokainë. Në njoftimin e Policisë së Tiranës thuhet se uniformat blu, kishin informacione se Blendi Peca, Arbër Murati dhe Ardit Murati, qarkullonin në qytet të armatosur dhe shisnin sasi të konsiderueshme të lëndës narkotike të llojit kokainë në zonën e “Don Boskos”.

Sipas njoftimit të policisë, Blendi Peca është konstatuar nga shërbimet e policisë duke lëvizur me mjetin tip “Citroen”, në zonën e “Don Boskos”. Shërbimet e policisë janë vënë në ndjekje të tij për të bërë ndalimin e mjetit. I është bërë shënja e ndalimit nga punonjësit, por mjeti nuk ka ndaluar. Në këto kushte, punonjësit e policisë kanë nxjerrë armën e brezit dhe kanë qëlluar në ajër, duke dhënë përsëri urdhër-ndalimi, por drejtuesi i mjetit nuk është bindur, ka vijuar tentativën për tu larguar.

Punonjësit e policisë kanë shënjestruar dhe qëlluar gomat e mjetit dhe kur janë afruar kanë vënë re se është plagosur lehtë drejtuesi i mjetit, shtetasi B.P, 27 vjeç, i cili u dërgua në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar në automjet është gjetur një sasi lënde narkotike e dyshuar e llojit kokainë me peshë 385 gramë.

Është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit Arbër Murati, ku në dhomën e gjumit është gjetur një sasi lënde narkotike e dyshuar e llojit kokainë e peshës 50.2 gramë. Veç arrestimit të Blendi Pecës, Ardit Muratit dhe Shehat Muratit, në kërkim është shpallur dhe Arbër Murati. I gjithë operacioni u monitorua nga SHÇBA dhe Prokurori i gatshëm.

Top Channel