Digjet një pikë grumbullimi e automjeteve të përdorura në Korçë

02/08/2017 00:00

Një pikë grumbullimi e automjeteve të përdorura në fshatin Voskop, është djegur dhe dëmtuar nga persona të paidentifikuar, ndërkohë që pronari hedh akuza për zjarrvënie të qëllimshme.

Sipas të dhënave dyshohet se një grup personash,ju kane vënë zjarrin dy kamionëve, të cilët janë shkrumbuar plotësisht dhe kanë dëmtuar me mjetë të forta më tepër se 10 kamionë  të tjerë.

Biznesi nuk ka qenë i pajisur me kamera, ndërsa qentë roje ishin masakruar nga agresorët. Si të mos mjaftonte dëmi,në muret e ndërtesës, ishte shkruar një parullë kërcënuese, adresuar për pronarin e biznesit Anesti Zguri.

Ka qenë pikërisht ai, që ka njoftuar shërbimet zjarrfikëse dhe më pas policinë për ngjarjen, e cila u konstatua nga një kalimtar i rastit. Zguri thotë se dëmi ekonomik është i madh, ndërsa ndihet i kërcënuar për jetën, duke hedhur dyshime se ngjarja mund të ketë si shkak konkurrencën, ndërsa ka mohuar të ketë pasur konflikte me persona të tjerë.

Grupi hetimor, që po punon për zbardhjen e  motiveve të ngjarjes, bën të ditur se ka sekuestruar në vendngjarje disa bidonë plastikë me naftë, të cilët janë përdorur nga agresorët për djegien e automjeteve. Ndërsa priten dëshmi nga persona të tjerë, banorë të fshatit, të cilët mund të jenë në dijeni apo mund të kenë parë grupin e agresorëve.

Top Channel