Rriten tarifat e përmbarimit, urdhri nga ministrat teknikë të PD-së

01/08/2017 00:00

Tarifat e shërbimit përmbarimor në vend kanë ndryshuar në pjesën më të madhe me rritje, pas nxjerrjes së një urdhri të përbashkët të ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Financave, të cilat drejtohen nga ministrat teknikë të Partisë Demokratike.

Sipas ministrisë së Drejtësisë krahasuar me çmimet e përcaktuara në vitin 2009, nga 9 nivele tarifimi, 5 kanë pësuar rritje, tre prej tyre kanë mbetur të pandryshuara apo janë ulur dhe 1 tarifë është reduktuar në vlerë kufiri.

Në njoftimin për shtyp ministria e Drejtësisë është kujdesur të sqarojë se miratimi i këtyre udhëzimeve ishte i detyrueshëm, për shkak të afateve që parashikonte ligji 1 muaj nga hyrja në fuqi e tij.

Nga ana tjetër po sipas ministrisë së Drejtësisë, udhëzimet në fjalë
kanë  qenë  një  praktikë  e  mbartur  dhe i janë nënshtruar një procesi të gjerë konsultimi, duke filluar Janar 2017.

Autoritetet shpresojnë që tarifat e reja pritet të nxisin ekzekutimin vullnetar të detyrimeve, duke zeruar në këtë mënyrë kostot për ekzekutimin e titujve ekzekutiv për qytetarët dhe bizneset. Në çdo rast, sipas ligjit, tarifat përmbarimore edhe pse parapaguhet nga kreditori nuk i ngarkohet këtij të fundit, por i vilet debitorit së bashku me detyrimin.

Udhëzimet  e  reja  kanë  zgjeruar kategorinë  e personave  që  përjashtohen  nga  pagesa  e  tarifës  përmbarimore,  duke çliruar nga detyrimi të gjithë personat që janë  në kushtet e paaftësisë paguese, që trajtohen me ndihmë ekonomike apo që përfitojnë nga ligji për ndihmën juridike falas.

Top Channel