Bllokimi i mjeteve lundruese, protestojnë subjektet e liçencuara

01/08/2017 00:00

Prej afro 10 ditësh të gjitha mjetet lundruese që ofrojnë argëtim në det janë bllokuar me një urdhër verbal të policisë kufitare.

Ky urdhër për pezullimin e daljes në det të skafëve, motorëve dhe mjeteve të tjera ujore erdhi pas vdekjes tragjike të pushueses ruse në Ksamil.

Por subjektet e liçencuara, që ofrojnë këto mjete për argëtimin e pushuesve në plazhin e Durrësit e konsiderojnë të padrejtë dhe kërkojnë anulimin e tij.

“Na është dhënë një urdhër për rikontroll të vendbazimeve pas aksidentit që ndodhi në Ksamil. Kemi kërkuar nga autoritetet përkatëse që të zhbllokojnë situatën, por nuk kemi asnjë përgjigje dhe asnjë kontroll që të na mundësojë rifillimin e aktivitetit. Është piku i sezonit dhe ne jemi të bllokuar. Ky vendbazim duhet të jetë 300 metra i gjatë, ndërsa ne e kemi tejkaluar këtë distancë për të rritur shkallën e sigurisë. Kërkojmë një zgjidhje të këtij problemi. Ashtu si ne ka dhjetëra subjekte që po ndëshkohen pa të drejtë”, thotë një biznesmen.

Ky pezullim, sipas pronarëve të mjeteve, po shkakton një dëm të madh ekonomik e social për bizneset e tyre dhe të punësuarit në to, ndërsa sezoni turistik është në kulmin e tij.

“Në biznesin tonë janë 10 vetë të punësuar. Shteti ka të drejtë të kontrollojë e bllokojë kur ka problem, por jo kur aktiviteti kryhet brenda rregullave. Askush nuk na jep me shkrim arsyen e këtij bllokimi. Dëmi ekonomik është shumë i madh jo vetëm te ne, por edhe tek familjet e të punësuarve. I gjithë investimi që kemi bërë në mjetet motorike po shkon dëm, pasi shteti nuk është i aftë të ushtrojë kontrolle e të marrë masa ndaj subjekteve në shkelje të ligjit”, thotë biznesmeni.

Pavarësisht çmimeve të kripura të disa subjekteve, kërkesat për mjetet e ujit nga pushuesit në plazhet e Adriatikut janë të larta në këtë sezon.

Top Channel