Alarmi i depozitave të ujit, Bashkia: Administratorët të negociojnë me banorët

01/08/2017 00:00

Bashkia e Tiranës u kërkon të gjithë administratorëve të liçencuar ose jo prej saj të negociojnë me banorët për të pastruar dhe dezinfektuar depozitat me të cilat furnizojnë familjet e tyre me ujë.

Ndonëse nevojitet që të paktën një herë në vit të bëhet dezinfektimi i tyre, shumica e depozitave nuk janë pastruar prej mbi 10 vjet dhe përbëjnë rrezik serioz për shëndetin e konsumatorëve.

“Këta administratorë në kontratën e tyre detyrim kanë edhe pastrimin e depozitave. U bëj thirrje administratorëve, të liçencuar apo jo, që të pastrojnë depozitat dhe qytetarëve që të bien dakord me njëri-tjetrin pasi nuk jemi më në fazë ku mund të negociohet. Pastrimi i depozitave është i detyrueshëm me ligj”, deklaron Erind Bejko, drejtor i marrëdhënieve me komunitetin.

Ndonëse procesi i përzgjedhjes së administratorëve ka disa muaj që ka nisur, ende jo të gjitha pallatet kanë zhvilluar mbledhjen e asamblesë për ta zgjedhur atë. Në vjeshtë, ato pallate që nuk kanë një administrator do t’ua përcaktojë bashkia.

“Kemi liçencuar 150 administratorët e parë dhe kemi gati në shtator 500 të tjerë. Pas 6 muajsh ne kemi të drejtën që na jep ligji që të kontraktojmë një subjekt fizik ose një kompani që të marrë në administrim pallatin për të eliminuar historinë e depozitave që kanë nevojë për dezinfektim, atë të administrimit të ambientit, etj”, shton Bejko.

Të gjitha pallatet, të vjetër apo të rinj, do të kenë një administrator, i cili do t’u përgjigjet kërkesave dhe detyrimeve ndaj qytetarëve.

Top Channel