Vlorë, ekzekutohet 37-vjeçari

31/07/2017 00:00

Personi që shihni në foto është 37-vjeçari me disa identitete, i cili u ekzekutua mbrëmjen e së dielës në zonën e Lungomares në Vlorë.

Të paktën 6 plumba u qëlluan mbi Renato Omerin, i cili në momentin e vrasjes ndodhej i ulur në një lokal së bashku me një person tjetër. Autori është larguar menjëherë nga vendngjarja, duke përfituar edhe nga errësira mes pallateve, ndërsa policia, mëgjithëse ngriti menjëherë disa grupe kontrolli, nuk arriti të bjerë në gjurmët e ekzekutorit.

Omeri, sipas policisë, kishte ndërruar identitet. Ai përdorte disa emra, si Marjan Xhaferraj, alias Marjen Omeri dhe rezulton me precedentë penalë. Madje, sipas verifikimeve të policisë, rezulton se 37-vjeçari ka përdorur edhe disa emra të tjerë, por jo të regjistruar në Gjendjen Civile.

Hetuesit dyshojnë se vrasja e 37-vjeçarit që banonte në lagjen “28 Nëntori”, ka lidhje me të kaluarën e tij, ndërkohë që disa persona janë marrë në pyetje. Fakti që viktima ruhej, konfirmohet jo vetëm nga identitetet e shumta që mbante, por edhe nga një pistoletë që policia gjeti në vendgjarje dhe që dyshohet se e dispononte Omeri.

Për këtë ngjarje të rëndë që shkaktoi panik edhe tek pushuesit, policia po heton në disa pista.

Top Channel