Veliaj: Parku qëndror, paralelisht me Bulevardin e Ri

31/07/2017 00:00

Tre projektet e para të hartuar nga arkitektët e Harvardit, janë zhvillimi urban i Kombinatit, Parku qëndror dhe restaurimi i fasadave do të jenë shumë shpejt një produkt i prekshëm.

“Angazhimi ynë është që t’i kthejmë këto ëndrra të bukura në projekte. Bashkia e Tiranës do të vendosë në dispozicion buxhetin dhe stafin e nevojshëm për realizimin e të treja projekteve. Pra, edhe projektin e Parkut Qendror te Bulevardi i Ri, edhe projektin e ndërhyrjeve në Kombinat, edhe projekti i artit publik i fasadave që shkon në fakt edhe me imazhin dhe reputacionin që ka Tirana, si qytet që provokon me art dhe ngjyra. Kështu që, mezi pres që këto projekte konkrete t’i buxhetojmë këtë vit dhe vitin tjetër të nisim nga puna”, tha kryebashkiaku Veliaj, gjatë takimit që u organizua në Qendrën COD për prezantimin e projekteve.

Duke u ndalur në secilin prej punimeve, ai theksoi se projekti i parë ka të bëjë me zhvillimin e idesë për krijimin e Parkut Qendror te Bulevardi i Ri. Veliaj theksoi se ky projekt bën të mundur të ecet në të njëjtën kohë si me ndërtimin e pjesës së dytë të Bulevardit të Ri, ashtu edhe në krijimin e Parkut si një hapësirë çlodhëse dhe argëtuese.

Sa i përket projektit për transformimin e Kombinatit, Veliaj theksoi se puna do të nisë nga qendra e tij për ta kthyer atë në një nga poliqendrat e Tiranës, ashtu siç e parashikon Plani i Përgjithshëm Vendor.

Ai bëri të ditur se projekti i tretë i paraqitur nga arkitektët e Harvard-it lidhet me rikonstruksionin e fasadave të pallateve. Kryebashkiaku theksoi se ky projekt vjen edhe si një mundësi për të promovuar artin në Tiranë përmes ngjyrave dhe figurave murale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA