
Inspektoriati Shtetëror Teknik thotë se shpëthimi në Velipojë ndodhi pasi subjekti privat kishte vepruar në informalitet të plotë për instalimin e rezervuarit nën tokë, me volum rreth 1000 litra gaz të lëngshëm.
“Rezervuari GLN është instaluar jashtë normave dhe kushteve teknike. ISHTI, me gjithë kontrollet e ushtruara nuk ka pasur dijeni për këtë instalim pasi vetë operatori ekonomik ka vepruar në fshehtësi me këtë pajisje”, ka deklaruar Nako Petro, specialist pranë ISHTI-së.
Përfaqësuesit e Inspektoriatit thonë se përballë këtyre rasteve janë të pafuqishëm për të vepruar. Por nga një kontroll i kryer prej tyre në zonat turistike ka rezultuar se 50 për qind e operatorëve punojnë jashtë kushteve të sigurisë.
“Janë kontrolluar mbi 80 operatorë dhe 44 prej tyre janë penalizuar për mungesë dokumentacioni dhe sepse ishin jashtë kushteve”, ka deklaruar specialisti Arjan Goshi.
Shpërthimi i ndodhur në plazhin e Velipojës i mori jetën pronarit të lokalit, ndërsa i biri 33-vjeçar vazhdon të jetë në gjendje të rëndë. Nga shpërthimi mbetën disa të plagosur kurse pushuesve iu rrezikua jeta.
Top Channel