Mbytet një person në Liqenin e Tiranës

31/07/2017 00:00

Një 50-vjeçar humbi jetën ndërsa po notonte në liqenin artificial të Tiranës. Trupi i tij u gjet pas kërkimesh dyorëshe të polumbarëve.

Ngjarja u regjistrua në kryeqytet rreth orës 17:00 të së hënës. Policia iu përgjigj një thirrjeje telefonike në sallën operative ku u lajmërua për zhdukjen në liqenin të një 50-vjeçari. Dëshmitarët thanë se ai u fut në liqen për t’u freskuar dhe pasi bëri disa metra not u zhduk nga sipërfaqja e ujit.

Forcat e rendit shkuan në vendin e ngjarjes dhe konstatuan rrobat e burrit dhe lajmëruan polumbarët për kërkimin e trupit.

Pas më shumë se 120 minutash u gjet edhe trupi i pajetë. Duke hetuar në vendin e ngjarjes policia bëri me dije se është një mbytje aksidentale, nisur edhe nga këqyrja e parë e vendit ku ndodhi mbytja.

Megjithatë, ajo tha se është në pritje të ekspertizës mjekoligjore. Kufoma u dërgua në morgun e Tiranës, për ekzaminime të mëtejshme. Policia tha se është duke u përpjekur për të gjetur identitetin e viktimës, pasi nuk kishte letërnjoftim me vete.

Top Channel