Ka nevojë për gjak; thirrje për të dhuruar

28/07/2017 00:00

Sezoni turistik dhe aksidentet e ndodhura gjatë muajve të verës kanë rritur kërkesat për gjak nëpër spitale, duke i vënë në vështirësi për të përballuar rastet e shtuara.

Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut u është drejtuar me një ftesë zyrtare, si filim institucioneve publike në mënyrë që stafet e tyre të mund të dhurojnë gjak.

“Gjatë kësaj periudhe nevojat për gjak janë më të shumta, por edhe sasitë e gjakut janë më të pakta, sepse kontigjentet që dhurojnë, sidomos studentët dhe institucionet njerëzit janë me leje. Ne vazhdojmë të mbulojmë, por duke ditur nevojën, u bëj thirrje që kushdo të dhurojë diçka që nënkupton shumë për të tjerët”, thotë Mirela Spahiu nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut.
 
Kësaj ftese zyrtare u janë përgjigjur të parët punonjësit e Agjencisë Kombëtare të Barnave.

“Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore iu përgjigj një ftese të ardhur nga Qendra Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut dhe ne si drejtori menduam që këtë thirrje ta përçonim edhe tek punonjësit e thjeshtë. Jam e surprizuar nga solidarizimi i punonjësve të agjencisë dhe që gjaku që ne dhuruam do t’u shërbejë fëmijëve talasemikë”, shprehet Alma Skënderaj nga Agjencia Kombëtare e Barnave.
 
Gjaku i dhuruar konsiderohet  më sigurtë dhe i dobishëm për ata që kanë nevojë, ndaj mjekët kërkojnë që secili të vendosë veten në vendin e dikujt që mund të ketë pësuar aksident dhe ka nevojë për gjak e të niset drejt qendrës së gjakut për të dhuruar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA