
Gjykata e Apelit rrëzoi vendimin e gjykatës së Durrësit duke caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për te ashtuquajturin baron i drogës Alket Hatija, i dënuar me 20 vjet burg nga drejtësia italiane.
Më 11 korrik, gjykata e shkallës së parë të Durrësit nuk miratoi arrestin e Alket Hatisë për efekt ekstradimi dhe e la të lirë, nën masën “detyrim paraqitjeje”.
Prokuroria e Durrësit ankimoi vendimin si absurd e të pabazuar ligjërisht. Vendimi u ankimua pjesërisht edhe nga vetë Alket Hatija, i cili pretendoi se është dënuar për të njëjtën vepër penale nga Gjykata e Krimeve të Rënda në vitin 2010 dhe e ka vuajtur plotësisht dënimin prej 10 vjet e 8 muaj burg. Në shtator 2015, Gjykata e Apelit në Milano e ka dënuar me 20 vjet burgim për trafikim të paligjshëm të drogave, të kryer në vitet 2003-2004 në bashkëpunim me 40 shtetas të tjerë.
Pasi shqyrtoi dy ankimimet në një seancë të vetme trupi gjykues i Apelit, kryesuar nga Arjan Balliu, konstatoi se “ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se Alket Hatija nuk është dënuar për të njëtën periudhë të veprimtarisë kriminale dhe me po të njëjtët bashkëpunëtorë nga gjykata shqiptare dhe ajo italiane”, sic pretendon.
Ndaj gjykata e Apelit çmoi se gjykata e shkallës së parë ka zbatuar gabim ligjin dhe duhet të ndryshojë vendimin e saj duke miratuar “Arrestimin e përkohshëm “ të Hatisë më 8 korrik dhe caktuar si masë sigurimi atë të “Arrestit në burg”.
Ndërkohë KLD ka kërkuar një hetim disiplinor ndaj gjyqtarit Petraq Curri që urdhëroi lirimin e Hatijajt. Më 17 korrik, Ministria e Drejtësisë ka autorizuar mbajtjen/aplikimin e masës shtrënguese dhe vendosjen e masës së sigurimit personal ndaj shtetasit Alket Hatija, që aktualisht është i lirë.
Top Channel