Shpëtim Gjika dënohet me 4 vjet burg, i konvertohet në shërbim prove

27/07/2017 00:00

Përfundon në shkallë të parë gjyqi ndaj ish-kreut të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika. Gjykata e Vlorës, në seancën e fundit atë të dhënies së dënimit, ka vendosur rrëzimin e dy akuzave. Trupi gjykues përbëhej nga Laurent Fucia, gjyqtar-relator për çështjen, Mirela Mishgjoni, gjyqtare, Arbana Selmanaj, gjyqtare.

Gjykata vendosi pafajësi për akuzat e ndërtimit të paligjshëm dhe shpërdorimin e detyrës, për ish-kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika, ndërsa për akuzën e falsifikimit të dokumenteve zyrtar gjykata vendosi 4 vite burgim dhe 1 vit burg edhe për akuzën e veprimeve, të cilat pengojnë zbulimin e së vërtetës.

Ndërsa gjykata ka vendosur ta konvertojë dënimin në 2 vite shërbim prove për shkak të rrezikshmërisë së ulët që prezanton i dënuari. Për ish-kreun Gjika, gjykata ka vendosur edhe ndalimin për tre vite të ushtrimit të funksioneve publike.

Po ashtu, Gjykata e Vlorës ka vendosur për ish-shefen e urbanistikës në bashkinë e Vlorës, Doriana   Beharaj, e cila ka marr pafajësinë për të gjitha akuzat.

I përfshirë në këtë çështje biznesmeni Artur Haxhi, pronar i subjektit ndërtues Turi&MZB është dënuar me 3 vite burg, konvertuar në tre vite shërbim prove për akuzën e falsifikimit të dokumenteve zyrtar më shumë se një herë.

I fajshëm për akuzën e falsifikimit të dokumenteve është shpallur edhe Ridvan Mersini, i cili është dënuar nga gjykata me një vit burg të konvertuara në dy vite shërbim prove.

Pavarësisht vendimit të gjykatës së shkallës së parë ne Gjykatën e Rrethit Gjyqësor në Vlorë, vendimi pritet te apelohet nga Gjika brenda 10 ditëve, ky i fundit ka dalë nga gjykata duke refuzuar të flasë për mediat.

Top Channel