Veliaj: Çmimi i ri siguron 24 orë ujë të pijshëm

25/07/2017 00:00

Një ditë përpara mbledhjes së këshillit bashkiak ku pritet miratimi i ndryshimit të çmimit të ujit për banorët në Tiranë, Erion Veliaj thotë se çmimi i ri do të bëjë të mundur furnizimin me ujë 24 orë për qytetarët.

Por sipas kryebashkiakut qytetarët edhe me çmimin e ri mund të menaxhojnë shpenzimet e tyre.

“Dua t’i ftoj të gjithë qytetarët të kursejnë ujin e pijshëm, pasi jemi ende në një situatë krize. Duam që brenda 5 viteve, me planin tonë të investimeve, Tirana të ketë ujë 24 orë. Nëse dikush është i shqetësuar për atë 20 lekëshin, mjafton vetëm 10 sekonda të mbylli çezmën. Sikur 10 sekonda të kursejë ujë në ditë, as nuk e ndjen fare në faturë të gjithë diferencën e çmimit. Ama, me çmim sikur të ishim në Bathore, do kemi ujë sikur të ishim në Korçë”, tha ai.

Kryebashkiaku vëzhgoi përfundimin e punimeve për rikualifikimin urban në bllokun e kufizuar nga rruga “Myslym Shyri” dhe “Muhamet Gjollesha” në njësinë 10. Veliaj thotë se investimet duhen mirëmbajtur nga banorët.

“Kemi shumë nevojë t’i mirëmbajmë. Nëse largohemi nga ky bllok për të vazhduar me 50 blloqet e tjera ku po punojmë në Tiranë dhe fillojnë prapë ndërtimet pa leje, fillojnë prapë zinxhirët, sigurisht që nuk bëjmë dot qytet. Na duhet ndihma e të gjithëve. Qytetarët te sinjalizojnë me ndërlidhësin, Policinë Bashkiake, Policinë e Shtetit çdo akt vandalizmi. Vetëm kjo mirëmbajtje do të na mundësojë që të kemi një rezultat shumë më të mirë në jetëgjatësinë e këtyre investimeve”, u shpreh Veliaj.

Ndërkohë, Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të zgjedhin administratorët e tyre në mënyrë që të përfitojnë nga skemat e financime në shërbim të komunitetit. Rehabilitimet urbane do të përfundojnë në 50 blloqe gjatë këtij viti në Tiranë, duke e çuar numrin total të tyre në 150 gjatë dy viteve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA