Veliaj: Në 6 muaj, 2.4 herë rritje numri i turistëve

21/07/2017 00:00

Bashkia e Tiranës ka shpërndarë çmimet për fituesit e konkursit të organizuar për suveniret e kryeqytetit.

Konkursi u çel në fund të majit, dhe kishte si qëllim promovimin e produktit turistik dhe jo vetëm suvenirit.

Kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se vetëm në gjashtë muajt e parë numri i turistëve që kanë vizituar kryeqytetin është rritur me 2.4 herë.
“Për ne turistët nuk janë një potpuri fotosh në instragram. Për ne turistët janë një mënyrë jetese. Tirana është një qendër financiare jo vetëm për Shqipërinë, por për shqiptarinë. Në thelb është një vend ku shërbehet. Ka një tregti të zhvilluar dhe besoj një nga burimet më të mira dhe më të sigurta në të ardhmen është turizmi. Vetëm në gjashtë muajt e parë është rritur 2.4 herë numri i turistëve që kanë vizituar Tiranën. Pra ende pa filluar vera, ende pa ardhur emigrantët që sjellin familjet dhe miqtë e tyre, 2.4 herë”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë deklaroi se një impakt pozitiv në rritjen e numrit të turistëve ka dhënë dhe përmirësimi i infrastrukturës dhe transformimi që ka pësuar në tërësi qyteti. “Paska një impakt sheshi, paska një impakt në Pazar, paska një impakt tek “Reja”, paska një impakt këndi i lodrave dhe më rezulton që është shumë i madh numri i atyre që janë turistët e brendshëm. Ndaj dhe them ne e kemi një shans fantastik. Për sa kohë që INSTAT-ti, operatorët turistik po na promovojnë, dëshmon që është rritur fluksi. Atëherë si do sigurohemi që sa më shumë para të mbeten në Tiranë, dhe unë besoj që një përgjigje konkrete është ajo që po bëjmë sot, një prodhim ose një inkurajim i prodhimit të suvenireve që bën para në artizanatin shqiptar dhe që sigurisht e bëjnë më të këndshme dhe eksperiencën”, u shpreh Veliaj.

Veliaj deklaroi se krahas rritjes së stacioneve që mund të vizitohen në Tiranë nga turistët është rritur edhe kërkesa për shtretër. Kryebashkiaku deklaroi se brenda katër viteve do të plotësohet edhe kjo kërkesë e turistëve për t’u akomoduar. “Kjo është arsyeja që ne do të vazhdojmë me inkurajimin e hotelerive në Tiranë. Do të jenë dhe dy brande hotele të tjera shumë të famshme të cilat janë në prag të finalizimit të projekteve të tyre të Tiranës. Kemi dhe disa aplikime të tjera për hoteleri në zonën e bulevardit të ri. Dhe besoj se edhe oferta e shtretërve të mangët në qytetin e Tiranës, brenda 4-vjeçarit do të përmbushet dhe Tirana do të jetë e vetëmjaftuehsme me shtretër dhe me industrinë e njerëzve që punojnë”, u shpreh ai.

 Konkursi kishte për qëllimin identifikimin dhe përzgjedhjen e produkteve apo suvenire me synim rritjen e tregtueshmërisë dhe diversifikimin e tyre, duke lidhur dizenjimin dhe kompozimin me tendencat tregtare bashkëkohore si dhe me traditën dhe trashëgiminë natyrore, historike dhe kulturore të Tiranës.

Top Channel