
Nismat e ndërmarra nga Bashkia e Tiranës në dy vitet e fundit kanë mundësuar që Tirana për vitin 2016 të shënojë një kthesë shumë të rëndësishme në përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe uljen e zhurmave.
Referuar të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, ndotja është në ulje, pavarësisht se treguesit për të gjithë Shqipërinë mbeten ende mbi kufijtë e normales.
Sipas raportit, të publikuar tashmë edhe në faqen zyrtare të AKM-së, rezulton se për Tiranën janë shënuar përmirësime të ndjeshme.
Mes nismave të marra nga bashkia renditen “Tirana pa makina”, por edhe përmirësimi i brezit të gjelbër, rritja e hapësirave të gjelbra dhe këndeve të lojrave, si dhe promovimi i lëvizjes me mjete të transportit publik.
Kështu, sa i përket PM10 dhe PM2.5, treguesve të grimcave të pluhurit me diameter më të vogël se 10 dhe 2.5 mikron të shprehur në mikrogram për metër kub (i cili shkaktohet nga makinat dhe tymi i karburantit) vihet re se këto tregues kanë shënuar përmirësim në raport me vitin 2015 dhe 2014. Nga të dhënat e raportit konstatohet qartësisht se niveli i PM10, për vitin 2015 ka qenë 64.95 mikrogram për metër kub, ndërsa gjatë 2016 është ulur në 55.25 mikrogram për metër kub, pra një ulje me 9.7 mikrogram për metër kub. Ndërsa në vitin 2014 niveli i PM10 ka qenë 63.88 mikrogram për metër kub.
Përmirësimi i ndjeshëm i cilësisë së ajrit vitin e fundit konstatohen dhe nga të dhënat e matura në stacionin e vendosur pranë Ministrisë së Mjedisit, ku rezulton se për vitin 2016 norma e PM10 ka qenë 46.01 nga 49.74 që ka qenë në vitin 2015, pra një ulje me 3.73 mikrogram për metër kub.
Por përmirësimin më të ndjeshëm të cilësisë së ajrit për vitin 2016 e shënon zona e 21 Dhjetorit, e cila është konsideruar ndër vite si një nga pikat më problematike në kryeqytet. Nga 112 mikrogram për metër kub që ka qenë në vitin 2015, për vitin 2016 shifrat u ulën në 87.78.
Sa i takon zhurmave, nga 65.56 dB që ka qenë në vitin 2015, për vitin 2016 ky nivel është ulur në 64.48 dB, pra me 1.08 dB. Sipas monitorimit të zhurmave në Tiranë, trafiku mbetet një nga shkaktarët kryesore të nivelit të zhurmave urbane në qytetin e Tiranës. Një përmirësim të ndjeshëm ka dhe niveli i ndotjes nga zhurmat gjatë orëve të natës, ku konstatohet qartësisht se nga 57.82 dB që ka qenë në vitin 2015, për vitin 2016 niveli u zhurmave është ulur në 1.61 dB.
Top Channel