Dëshmitarët e Jahovait mbajnë kongresin. 6 mijë besimtarë në Tiranë

21/07/2017 00:00

Secilit nga ne i ka ndodhur të paktën një herë që në derën e shtëpisë të trokasin persona të panjohur, të cilët i janë prezantuar si dëshmitarët e Jehovait.

Por edhe pse prej 25 vitesh ata janë pjesë e shoqërisë sonë, sërish ngjallin interes për dogmat e rrepta të besimit të tyre, apo edhe për akuzat e herëpashershme që janë adresuar ndaj tyre. Madje, në disa shtete ata janë shpallur dhe të jashtëligjshëm.

Për të treguar se janë një pjesë e konsiderueshme në Shqipëri, këtë të premte, ata janë mbledhur në stadiumin “Selman Stërmasi” në Tiranë për kongresin e përvitshëm.

“Në sesionin e paradites kemi qenë gati 6 mijë të pranishëm. Edhe në ditët e ardhshme ka për të pasur shumë të pranishëm nga Shqipëria dhe Kosova. Besoj se jemi rreth 5.500 dëshmitarë të Jehovait në Shqipëri, por ka edhe shumë të interesuar”, ka deklaruar Dorjan Hotova, përfaqësues i sektit.

Kongresi i përvitshëm i dëshmitarëve të Jehovait zhvillohet për të 25-tin vit në Shqipëri dhe në të, veç pjesëmarrësve nga Shqipëria kanë udhëtuar edhe shqiptare të shumtë nga Kosova. Kongresi i dëshmitarëve të Jehovait do të vijojë deri ditën e diel.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA