“Shullazi”, dëshmon deputeti i ri

18/07/2017 00:00

Jurgen Çyrbja, deputet i zgjedhur i Partisë Socialiste dëshmoi në Gjykatën e Krimeve të Rënda, se si ishte regjistruar  ish-hotel Vollga gjatë kohës që ai mbante detyrën e  kreut të Hipotekave në Durrës.

Çyrbja tha se ish-Vollga është regjistruar sipas ligjit. Emri i dëshmitarit ishte lakuar më herët nga Ylvi Beqja mbi takimet e zhvilluara për  Vollgën.

“Nuk jam kërcënuar asnjëherë nga Shullazi. Emiljano Shullazin ma prezantoi si bashkëpronar Ylvi Beqja”, kujtoi dëshmitari.

I pyetur nga Prokuroria nëse ishte kërcënuar ndonjëherë për Vollgën, dëshmitari u shpreh se ishte kërcënuar, por jo nga të pandehurit nën akuzë.

Prokurorja lexoi në gjykatë një deklaratë të mëparshme të Jurgen Çyrbes, ku përmend një mesazh telefonik të dyshimtë. Ky komunikim konsiderohet si kërcënim nga autoritetet, por Emiljano Shullazi kundërshtoi përderisa, sipas tij, ai nuk ka lidhje me dërguesin e mesazhit.

Në gjykatë rrëfeu edhe noterja Aida Spahiu, sepse dëshmitari i mbrojtur nga shteti Ylvi Beqja, pretendon të jetë kërcënuar para saj.

Noterja Spahiu e konsideroi nënshkrimin e kontratës për pronësinë e Vollgës me vullnet të plotë nga të dyja palët.

“E pyeta Ylvi Beqjan se përse po behej ky dhurim dhe ai më tha ‘për mirënjohje dhe respekt”, u shpreh noterja.

Edhe dëshmitari tjetër, Neshat Fana, një avokat i përmendur si njeriu që ka prezantuar Beqajn me Shullazin, tha se do të depozitojë kallëzim për dëshmitarin e mbrojtur, ndërkohë që nuk dha asnjë version të tijin, përderisa, sipas tij, ai duhet të ruajë sekretin profesional.

Top Channel