Veliaj: Në shtator nis aksioni për mbjelljen e 50 mijë pemëve

12/07/2017 00:00

Bashkia e Tiranës nis në shtator aksionin për mbjelljen e 50 mijë pemëve, ndërsa kryebashkiaku Veliaj fton qytetarët për më shumë punë vullnetare.

Këtë të mërkurë 170 vullnetarë të huaj e shqiptarë, pjesë e Korpusit të Paqes u angazhuar që në orët e para të mëngjesit për pastrimin e parkut të Liqenit.

“I ftoj qytetarët e Tiranës të bëjnë më shumë punë vullnetare. Ndonjëherë ndihem pak keq kur ka më shumë të huaj që bëjnë punë vullnetare se sa ne shqiptarët. Për herë të parë pashë që vullnetarëve amerikanë iu ishin bashkuar edhe shumë të rinj të qytetit të Tiranës, për të kuptuar që vullnetarizmi nuk është një çështje e mirëqenies ekonomike, por është një çështje e gjendjes tënde shpirtërore, e gjendjes tënde mendore, si qytetar i mirë. Ndaj, më vjen mirë që për herë të parë pas kaq vitesh shikojmë një balancë midis vullnetarëve që janë të huaj, amerikanë dhe vullnetarëve tanë shqiptarë”, theksoi Veliaj.

Ai gjithashtu bëri të ditur se së bashku edhe me Korpusin e Paqes, por edhe me shumë grupe të tjera vullnetarësh që veprojnë tashmë në Tiranë, do të ndërmerren shumë fushata që i vijnë në ndihmë të pamundurve, por edhe që ndihmojnë për ta bërë një qytet më të mirë.

“Aksioni i sotëm ishte për të pastruar parkun nga shumë prej barishteve, ferrave dhe materialeve që marrin zjarr shpejt, që janë rrezik në këtë kohë, për të shpëtuar shumë nga pemët nga thatësira. Por stina do të ndryshojë, kështu që kur të afrojë stina e vjeshtës dhe e dimrit, që është koha perfekte për të mbjellë pemët, do të donim që të bënim organizime të tilla për fushata të mbjelljes. Duam që këtë vit të mbjellim 50 mijë pemë të reja, jo vetëm në Parkun e Tiranës, por edhe në Parkun e Farkës dhe të Kasharit dhe do të gjejmë një mënyrë se si duke inkurajuar vullnetarizmin edhe me Korpusin e Paqes, por edhe me shumë prej vullnetarëve shqiptarë që fatmirësisht janë shtuar, të kemi mundësi që të kemi një stinë fantastike mbjellje dhe t’i afrohemi projektit tonë të pyllit orbital, që deri në vitin 2030 të kemi mbjellë 2 milionë pemë në total”, u shpreh kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA