
I akuzuar si bashkëpunëtor në rrëmbimin dhe masakrimin e Gazmend Çollakut, Denis Shtraza pretendon se është arrestuar gabimisht dhe se njerëzve të familjes së tij dhe të njohurve iu rrezikohet jeta sepse mund ta pësojnë si shoku i tij Ervin Dalipaj.
I ngelur vetëm para drejtësisë, pasi 3 muaj më parë i bashkakuzuari me të, Ervin Dalipaj u vra, Shtraza këmbënguli se me Çollakun kishte raporte të mira.
“E njoha Çollakun në burg në vitin 2008. Unë hyra në qeli për armëmbajtje pa leje, ndërsa ai për plagosje. Në burg kemi mbajtur edhe agjerim bashkë, ndersa kur dola i dërgoja cigare. Kur mbaroi dënimin unë dhe ai kemi pirë kafe dhe jemi përshëndetur. Ishte djalë i mirë, nuk kisha asnjë konflikt me të”, tregoi Shtraza.
I pandehuri ju përgjigj prokurorisë për një sulm ku ai kishte mbetur i plagosur me argumentin se nuk e kishte dyshuar asnjëherë. “Për këtë ngjarje drejtësia ka dënuar disa persona dhe për mua kjo histori është e mbyllur”, u shpreh Shtraza.
Në lidhje me diten kur Gazmend Çollaku u rrëmbye, Shtraza përmendi se ka si alibi takimin me një shoqen e tij në Tiranë. “Ajo quhet Marsela. Mbiemrin nuk mund t’jua them, e keni në dokumenta. Nuk e them sepse kam frikë se e vrasin siç e pësoi Ervin Dalipaj”, tha më tej Shtraza.
Avokatët kërkuan që kur kjo shtetase të thirret në gjykatë procesi të zhvillohet me dyer të mbyllura për të ruajtur anonimatin e saj e për rrjedhojë edhe jetën.
Si argument mbrojtja solli largimin nga Shqipëria dhe marrjen e azilit të vëllait të Shtrazës pas një sulmi me armë në shtëpinë e tij, atëherë kur Shtraza po priste të dilte në gjykim.
Në pritje të mbërritjes së një akt ekspertimi nga Gjermania të sistemit GPS të makinës me të cilën udhëtonin Ervin Dalipaj dhe Denis Shtraza, prokuroria depozitoi prova shkresore e materiale të kamerave të sigurisë që tregojnë udhëtimin e Shtrazës, si dhe një proces verbal ku rezulton se gjatë hetimeve paraprake të jenë pyetur Emiliano Shullazi dhe Gilmando Dani.
Top Channel