Policia e Shtetit dhe policia bashkiake në 24 orët e fundit, kanë shkëputur 151 lidhje të paligjshme të ujit në zonën e Yzberishtit, Babrrusë, Ali Demit, rrugës “Kont Urani”, në rrugën e Elbasanit, rrugën “Hoxha Tasim”, zonën e Qytetit Studenti dhe ish parkun e autobusëve, në Tiranë.
Pjesa më e madhe e lidhjeve të shkëputura, përdoreshin për ujitjen dhe larjen e automjeteve, duke abuzuar me ujin e pijshëm. Bashkia e Tiranës thotë se janë vendosur edhe gjoba ndaj disa subjekteve, konkretisht, për 13 abonentë familjare dhe 15 biznese, duke e çuar numrin total të të penalizuarve nga kjo situate në 170.
Deri më sot, në thuajse një jave në nisjen e aksionit për shkëputjen e lidhjeve të paligjshme të ujit janë ndërprerë 1350 raste. Aksioni i Task Forces së Ujësjellësit duket se ka ndikuar edhe në ndërgjegjësimin e qytetarëve për nënshkrimin e marrëveshjeve të reja.
Në thuajse një javë, janë bërë 115 kontrata të reja dhe 24 aktmarrëveshje për pagesën e ujit. Gjithashtu janë vendosur 629 matës të rinj. Bashkia e Tiranës, u bën thirrje qytetarëve që të telefonojnë në numrin pa pagesë 08000-888 për të raportuar problemet e furnizimit me ujë.
Probleme me furnizimin me ujë, vijojnë edhe në qytete të tjera në vend. Temperaturat e larta kanë krijuar probleme me furnizimin me ujë edhe për banoret në qytetin e Bulqizës. Bashkia dhe ujesjellesi atje, nëpërmjet task forces, kane ndërprerë 35 lidhje të paligjshme nga 90 të konstatuara.
Top Channel