Gjyqi i Shullazit, dëshmia kontradiktore e Ylvi Beqja

04/07/2017 00:00

Gjatë dy orëve në të cilat mbylli dëshminë e tij, dëshmitari i drejtësisë Ylvi Beqja iu përgjigj pjesës dërrmuese të pyetjeve të avokatëve me frazën: Nuk më kujtohet!

Refreni i Ylvi Beqjas provokoi humbjen e qetësisë për Emiljano Shullazin. “Dëshmitari duhet të shpjegojë akuzat që na sollën në burg, sepse nuk po pyetet a e ka pirë kafen e mëngjesit, por sa lekë më paska dhënë në formën e gjobës”, ndërhyri i pandehuri.

Për të vendosur në pikëpyetje besueshmërinë e dëshmitarit të drejtësisë, avokatët kërkuan informacion nga Ylvi Beqja mbi njohjet e tij me 5 shtetas, me të cilët dëshmitari kishte pasur kontrata borxhesh dhe me të cilët ka ende mosmarrëveshje.

Duke lënë të kuptohej se dëshmitari i drejtësisë nuk po tregohej i sinqertë deri në fund me gjykatën, mbrojtja këmbënguli se 20 dhe 30 përqindëshi i “Vollgës” është çështje civile, për sa kohë ekzistojnë kontratat mes Shullazit dhe Ylvi Beqjas.

Ky i fundit kujtoi se kontrata me Shullazin ishte që ai të mbyllte çështjen “Vollga” deri në Gjykatën e Lartë, por aty ende nuk është zgjidhur, tha dëshmitari. “E ndryshova dhurimin e ish-Vollgës nga 20 për qind në 30 për qind nën kërcënimin e armës”, vijoi dëshmitari teksa shtoi se “nuk kallëzova më herët pasi ata të vrisnin”.

Por Emiljano Shullazi e pyeti: Atëherë përse më prezantoje ngado si vëllai i vogël?

Ylvi Beqja këmbënguli se për ish-Vollgën nuk kishte gjetur ende zgjidhje në Gjykatën e Lartë, siç ishte rënë dakord në kontratë, e për këtë i kujtoi frazën që i kishte përcjellë më herët në telefon përmes Endrit Qyqes.

“Ju thashë më ktheni lekët apo Vollgën se do jem unë halli juaj”, kujtoi Ylvi Beqja, ndërkohë që Shullazi replikoi: Është e imja, nuk e gëzon kush Vollgën përveç meje.

Tani që dëshmia e Ylvi Beqjas përfundoi, me kërkesë të Prokurorisë do të pyeten në seancën e radhës ish-drejtori i Përgjithshëm i Hipotekës, Ilirian Muho, dy notere, te të cilat u përpiluan kontratat për ish-Vollgën, një juriste pranë Zyrës së Pasurive të Paluajtshme dhe avokati Neshat Fana, i cili sipas dëshmitarit është njeriu që e prezantoi me Emiljano Shullazin për të zgjidhur punë.

Top Channel