Apeli i Veliajt: Kurseni ujë, shmangni abuzimet

04/07/2017 00:00

Bashkia e Tiranes kërkon nga qytetaret që të solidarizohen me njëri tjetrin për problemin e furnizimit me ujin e pijshëm në këto ditë të nxehta.

“Kemi kaluar një situatë jo të lehtë në Tiranë sa i përket çështjes së ujit të pijshëm. Dua të ftoj të gjithë qytetarët për pak solidaritet. Kjo do të thotë se fati i dikujt tek Astiri që s’ka ujë është i lidhur me fatin e dikujt në Kinostudio që po vadit bahçen; fati i dikujt në Tiranën e Re që s’ka ujë është i lidhur me fatin e dikujt në Shkozë i cili po lan lokalin. Do të thotë që në këtë qytet, vërtet jemi 1 milionë banorë, por fatet i kemi të lidhura bashkë, ndaj është shumë e rëndësishme që të tregojmë solidaritet”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku Erion Veliaj thotë se situata është problematike vetëm në një pjesë të qytetit, por sipas tij është një situatë ku vlen të kursehet uji nga të gjithë banorët e kryeqytetit.

“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që le të presë makina, le të presë bahçja ose të përdorim ujë pusi, por le të mos lëmë pa ujë njerëz në zona si ajo e Astirit. Vërtet nuk është gjithë Tirana, është 10-15% e kryeqytetit në këtë situatë, por është mjaftueshëm e dëmshme për të kuptuar që dikush tjetër që po abuzon për të freskuar rrugën e vet për të vaditur bahçen e për të larë makinën, realisht po lë një familje tjetër në Tiranë pa ujë”, u shpreh Veliaj.

Ndërkohe bashkia inauguroi në kryeqytet këndin e 18 të lojërave, në rrugën “Sulejman Delvina”, një shesh i ri kreativ, me lojëra të ndryshme, ndriçim dhe gjelbërim, që do tu shërbejë të gjitha moshave.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA