Infrastruktura në park, Veliaj: Fokusi tek punët

03/07/2017 00:00

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi sot punimet që po kryhen për shtrimin e rrugëve të brendshme tek Parku i Liqenit.

Veliaj theksoi se të gjitha agjencitë e bashkisë do të jenë në terren gjatë gjithë verës për t’u siguruar që qytetarët në shtator të kenë një ambient sa më dinjitoz për të kaluar kohën e lirë.

“Pavarësisht investimeve tona në parkun e Farkës, në parkun e Kasharit, le të themi se kurora e gjelbër e Tiranës, pra Parku i Liqenit vijon të jetë më i frekuentuari nga qytetarët. Në rrugët e brendshme të tij nuk është ndërhyrë që nga vitet ‘60-70, çka ka bërë që me gjithë investimet që ka bërë Bashkia, të përdoret vetëm 10% e territorit të parkut. I gjithë investimi në rrugët e reja, të brendshme dhe lidhëse me pjesët më interesante të parkut, do të zgjasë vetëm dy muaj. Në fund të verës i gjithë parku do të jetë i vizitueshëm”, tha Veliaj.

Ai kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për punimet që po kryen paralelisht në disa zona të kryeqyetit, ndërsa paralajmëroi mbjelljen e 50 mijë pemëve në shtator. Gjithashtu, Veliaj iu përgjigj edhe akuzave për prishjen e një lulishteje për ndërtimin e një pallati.

“Le të fokusohemi tek projektet, tek punët konkrete dhe jo tek histerizmat kolektive që nisin sa herë bashkia realzion një projekt të madh”, tha Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB