Drejtonte bandën nga qelia, burgimi i dytë përjetë për Tafilajn

03/07/2017 00:00

Admir Tafilaj rrezikon të dënohet edhe me një burgim tjetër të përjetshëm të kërkuar nga Krimet e Rënda duke qenë se akuzohet si kreu i një bande me 12 anëtarë, e cila nga qelia e tij merrte urdhra për të kryer vrasje e për të mbyllur llogari.

Pretenca e prokurorëve jepet më shumë se 5 vjet pasi gjykata e dënoi me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy vëllezërve Pjetrushi.

Por Tafilaj ka gjithashtu mbi shpine edhe  një dënim tjetër prej 22 vitesh burgim për vrasjen e mbetur në tentative të ish-shefit të krimeve Prel Pjetrushi.
 
41-vjeçari i ka kaluar 17 vitet e fundit të jetës nëpër burgje që të gjitha të sigurisë së lartë. Me një CV të pasur kriminale që nga arratisja spektakolare me vetëm një qëllim për të kryer vrasje për hakmarrje kundër Prel Pjetrushit që sipas tij ishte shkaktari i vrasjes së të atit deri tek arratisja e armatosur nga burgu i Drenovës.

Por në dosjen e radhës kundër tij, sipas Prokurorisë Admir Tafili ka sfiduar drejtësinë duke drejtuar një grup të strukturuar kriminal ka paguar vrasësin me pagese Kristi Pine për të ekzekutuar për hakmarrje në Shkodër Ibrahim Mani, është tentuar të vritet Edmond Çakmashi dhe biznesmeni Leonard Murati.
 
Ndaj Tafilit rëndojnë 6 akuza që nga vrasja me paramendim, vrasja për hakmarrje, sigurimi i mjeteve për të kryer vrasje dhe vetëgjyqësi. Ndërkohë Prokuroria kërkoi burg të përjetshëm edhe për dëshmitarin  e drejtësisë Kristi Pine, të cilit për shkak bashkëpunimit i zbret dënimi në 10 vjet burg.

Pretencat e kërkuara nga Prokuroria
Admir Tafilaj, burg përjetë
Kristi Pine, 10 vjet burg
Elson Merdani, 35 vjet burg
Dritan Peksani, 35 vjet burg
Alfred qefalia, 27 vjet burg
Klajdi Shermadhi, 21 vjet burg
Aleksander Gora, 5 vjet burg
Fatos Koka, 3 vjet burg
Albano Beqiraj, 3 vjet burg
Dhimitër Zito, 2 vjet burg

Top Channel