Itali, kapen 700 kg hashash. Dyshohet se vinte nga Shqipëria

29/06/2017 00:00

Një gomone e fuqishme me 7 kuintalë marijuanë në bord është gjetur në Porto Recanati të Maceratas në Itali, në orën 6:30 të mëngjesit të së enjtes.

Karabinierët kanë qenë duke zhvilluar një kontroll rutinë, kur kanë parë mjetin në breg. Pas kontrolleve kanë zbuluar 28 pako të mëdha të mbulura me kujdes me celofan, e të lidhura me litarë e me letër ngjitëse.

Mendohet se skafistët janë detyruar ta braktisin gomonen për shkak të detit të trazuar, por edhe pranisë së patrullave policore në zonë.

“Gazzetta di Parma” shkruan se, me shumë gjasë, mjeti lundrues ka ardhur nga Shqipëria. Ai duhet të rinisej duke përdorur gati 20 bidonë me karburant.

Vlera e drogës së sekuestruar llogaritet diku te 5 milionë euro. Gomonia ishte e pajisur me 2 motorë të fuqishëm prej 200 kuajsh fuqi. Mendohet se atë e kanë tërhequr rrymat e forta të detit në atë vend dhe skafistët e kanë braktisur e ia kanë mbathur për të mos rënë në duart e forcave të rendit.

Top Channel