
Rinisi nga fillimi procesi gjyqësor ndaj 11 të rinjve nga fshati Lazarat, tre prej të cilëve dyshohen se janë vrasësit e efektivit të RENEA-s Ibrahim Basha.
Procesi ndaj të rinjve nga fshati jugor zgjati një vit pasi u aplikua gjykimi i shkurtuar. Por pasi prokuroria shpalli pretencën duke kërkuar 3 burgime të përjetshme dhe 144 vite burg në total, avokati Ilir Murati kërkoi të zhvillohej gjykimi i zakonshëm.
Sipas avokatit, kjo kërkesë vjen për shkak se dëshmia e dëshmitarit Klodian Selimi është kontradiktore dhe e paqartë.
Në seancën e kësaj të mërkure, prokurori rilexoi kërkesën për gjykim, ndërsa të gjithë avokatët, përveç Muratit kërkuan sërish gjykim të shkurtuar.
Avokati Murati përfaqëson interesat e Elvis Boçit, i cili dyshohet se ishte në grupin e zjarrit që qëlloi me armë ndaj policisë, gjatë planit të të dyshuarve për të rimarrë Lazaratin dhe për të rikthyer mbjelljen e hashashit.
Top Channel