Fotografimi i votës, Policia: Në dijeni të aparatëve të posaçëm

24/06/2017 00:00

Policia e Shtetit deklaron se disponon  informacion të mjaftueshëm se elementë të caktuar kanë në përdorim dhe kanë shpërndarë aparate të posaçme, me të cilat, sipas saj, do të tentohet të fotografohet vota si dëshmi për votën e blerë.

Policia e Shtetit thekson se do të jetë shumë e ashpër për ndeshkimin e çdo krimi elektoral dhe ka marrë të gjitha masat për t’ju përgjigjur në kohë çdo eventualiteti. Nën mbikqyrje po mbahen elemente me tendencë blerjen e votës, në procesin e 25 Qershorit.

Nga ana tjetër, Policia e Shtetit paralajmëron çdo qytetar që ka rënë pre e tentativës për shit-blerjen e votës të heqë dorë në kohë nga ky aktivitet kriminal, pasi do të përballet me forcën e ligjit.

“Policia e Shtetit mbetet e vendosur për të garantuar, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë dhe organet e tjera ligjzbatuese, një proces zgjedhor të qetë dhe të drejtë. Siç ka dëshmuar edhe ditët e fundit në goditjen e tentativave për shit-blerjen e votës, Policia do të intensifikojë luftën kundër këtij fenomeni për të mos deformuar vullnetin e lirë të qytetareve”, thuhet në deklaratën e Policisë së Shtetit.

FOTO GALERI
1/2

Top Channel