Rama në Himarë: Dule s’meriton asnjë votë, ka fyer minoritetin

23/06/2017 00:00

Partia Socialiste ka mbyllur pasditen e sotme fushatën elektorale në Himarë, nga ku kryeministri Rama tha se rilindja urbane do të vazhdojë edhe në 4 vitet e ardhshme në këto zona, duke u shtrirë në çdo pjesë të saj.

Rama foli edhe për Vangjel Dulen nga Himara, duke thënë se ai nuk meriton më asnjë votë nga minoriteti.

“Vangjel Dule e ka fyer historinë e Himarës, por këtë herë ai ka fyer rëndë edhe minoritetin në zonën e qarkut të Vlorës. Ai nuk meriton asnjë votë nga asnjë minoritar, pasi të gjithë atë retorikë nacionaliste konfliktnxitëse e ka përdorur vetëm për ndenjësen e tij dhe kur arriti puna braktisi të gjithë ata që e mbështetën dhe u fut në autobusin e “Republikës së re”, së bashku me Dashin e Havasë, shëmbëlltyrën e Vangjelit, por nga çamët”, tha Kryeministri Rama.

Më tej, Kryeministri u shpreh se ka besim te himarjotët se këtë herë do të bashkohen dhe do të jenë kuqezi.

Top Channel