
Bilancin e fundit për punët e bëra në dy vite në krye të administratës që drejton, Erion Veliaj e ka bërë përpara vartësve të tij.
“Në total, 800 punë publike në 800 ditët e administratës sonë”, tha Veliaj.
Duke theksuar fokusin e investimeve për fëmijët, Veliaj përmendi kthimin e çekut për çdo bebe që lind në Tiranë: “Kur dëgjoj sot ish-kryetarin e bashkisë që thotë se do të ushqejë të gjithë fëmijët, them se në Tiranë nuk e ha më njeri këtë. Gjithmonë më ka ardhur keq që vendimi i parë i tij ishte të hiqte çekun e bebes”.
Rikthimi i kredive të buta për çiftet e reja është një tjetër projekt që bashkia e konsideron të rëndësishme: “Në fund të verës do të kemi rezultatet finale, si ne, si banka, për të paktën 1000-1500 apartamente të reja në ndihmë të atyre që sapo e kanë krijuar një familje në Tiranë”.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës përmendi edhe atë çfarë është bërë me transportin publik: “Vetëm me 40 lekë, mund të bësh 9 km nga një cep i qytetit në tjetrin. Unë besoj që jemi dita me natën me dum-dumet që trashëguam dhe me një sistem që ishte komplet jashtë kontrolli. Revolucioni i vërtetë do të ndodhë në mandatin tonë të dytë, me futjen e biletës elektronike”.
Veliaj theksoi si të rëndësishme investimet që do të bëhen në dy vitet e e tjera, si terminali perëndimor, kopshtin botanik dhe zoologjik, rehabilitimin e Piramidës dhe ndërtimin e korsive të biçikletave.
Top Channel