
Ibrahim Lici i dyshuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda si njëri nga krerët e një bande gjobëvënësish në qytetin e Shkodrës u lirua nga Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda, pak kohë pas një operacioni të bujshëm në vend.
Por, ndërkohë, në të njëjtën ditë, Apeli i Krimeve të Rënda la në burg Fatmir Dibrën, i konsideruar si anëtar i bandës dhe që gjithashtu tregoi për hetuesit se si funksiononte grupi dhe se Ibrahim Lici dhe Muhamet Lici ishin drejtuesit.
Detar Hysi, avokati i Ibrahim Licit, tha: “Ishte një kërkesë e jona që u vlerësua me objektivitet dhe në përputhje me ligjin nga ana e gjykatës. U tërhoqën të gjithë tregtarët”.
Në një deklaratë noteriale, tregtarët shprehen se grupi i Ibrahim e Muhamet Licit ishin të kontaktuar për të ruajtur tregun, duke qenë se ata ofronin shërbim më të lirë krahasuar me policinë private.
Edhe dëshmitari Dibra, i dyshuar si anëtar i grupit, është tërhequr nga rrëfimi i tij i mëparshëm dhe ka mohuar të ketë marrë urdhra nga vëllezërit Lici për t’u vjelë gjoba tregtarëve në Kiras dhe Zdrale. Gjithsesi, ky qëndrim i tij nuk e ka ndihmuar të lërë qelitë. Nga ana tjetër, prokuroria pretendon ndaj të dyshuarve se, pasi kishin larguar me dhunë një grup tjetër, që nga vjeshta e vitit 2016, çdo muaj, grupi prej 9 anëtarësh i vilte taksa çdo tregtari nga 1 mijë deri në 3 mijë lekë.
Top Channel