Rama: Mos na lini peng të partive të tepsisë

22/06/2017 00:00

Të dielën kavajasit do të plotësojnë dy fletë votimi, pasi ndryshe nga pjesa tjetër e shqiptarëve, do të votojnë edhe për kryetarin e ri të Bashkisë.

E në takimin e radhës në këtë qytet, Kryeministri Edi Rama kërkoi votën si për kandidatin e socialistëve për kryetar bashkie, ashtu edhe për zgjedhjet parlamentare duke përdorur gjuhën e të rinjve.

“Sa i përket votës për Bashkinë e Kavajës nuk besoj se ka nevojë për shumë fjalë. Në fletën për bashkinë ju e dini, votoni numrin 1, në fletën për Shqipërinë votoni 2. X lërjani në dorë Lulit, Vasilit, Timi dhe kaubojsit”, tha ai.

Rama ripërsëriti rëndësinë që ka, sipas tij, marrja e shumicës nga Partia Socialiste.

“Qeveria jonë nuk do të qeverisë për një palë dhe të ndëshkojë palën tjetër, ndaj të gjithë atyre që e kanë problem të votojnë PS, u them thjeshtë; mos na lini peng të partive të tepsisë së pushtetit! Mos na lini peng  të politikanëve që kanë 25 vjet që vijnë vërdallë dhe nuk e bënë Shqipërinë. Ne duam fuqinë për të bërë shumë më shumë për ju dhe zotimi im solemn është që nëse do ta marrim këtë fuqi nga bashkimi i shqiptarëve, ne do të qeverisim me një vullnet të hekurt dhe atdhedashuri të jashtëzakonshme në emër dhe për të gjithë shqiptarët.

Top Channel