
Kreu i qeverisë iu referua LSI-së si një forcë politike të dalë nga binarët, por edhe pse gjuha midis tij dhe Ilir Metës është ashpërsuar kohët e fundit, Ramë thotë se nuk është penduar që votat e PS shkuan për kandidaturen e tij për presidencën.
“Unë mendoj që kemi bërë gjenë e duhur dhe faktin që ne nuk kemi parashikuar daljen nga shinat të Ilir Metës nuk na bën fajtorë. Ne bëmë zgjedhjen e duhur, një figurë që përfaqëson sipas meje, PD pa qenë anëtar i PD. Nuk dua të zbres në këtë nivel banal polemike që ka habitur një popull të tërë. Por kur vjen kjo temë, pyes veten se çfarë borxhi i ka ky vend Ilir Metës që është i vetmi njeriu në historinë e këtij vendi që ka marrë gjithçka, kryeministër, kryetar kuvend, president me votat e PS”, tha Rama në një intervistë për Zërin e Amerikës.
3 ditë përpara zgjedhjeve, Edi Rama thotë se koalicioni me LSI është tashmë një shans i humbur nga kjo e fundit, por kreu i PS lë të hapur mundësinë e koalicioneve programore apo strategjike.
“LSI e përjashtoj si mundësi sepse LSI e humbi mundësinë, sa u takon të tjerëve, kjo është diçka që duhet lexuar pas votës së 25 qershorit”
Deri më sot, sipas Edi Ramës, bashkëpunimi me PD ka qenë për daljen nga kriza 3-mujore dhe jo për një koalicion, megjithëse për këtë të fundit Rama ende nuk ka folur.
“Por koalicione të detyruara nga mungesa e numrave janë çështje më të vështira dhe kanë kosto për njerëzit. Është diçka që duhet lexuar mbi votën e 25 qershorit. Ajo që është e rëndësishme është që të mos kemi koalicione që ndërtohen duke kaluar nga ndarja e tepsisë së pushtetit, por me votë ta çojmë tepsinë për skrap”, deklaroi ai.
Top Channel