
Lulzim Basha u kërkoi dibranëve të votojnë planin e tij ekonomik që do të sjellë rritje ekonomike, ulje taksash, vende pune, stazhe për të rinjtë, para për fermerët dhe pensione më të larta.
Basha u shpreh se vota për numrin 6 është mundësia për një të nesërme të sigurtë. Ai tha se plani i tij lindi nga nevojat e njerëzve, gërshetuar me potencialet e vendit dhe ekspertizës e njohësve më të mirë të ekonomisë, njerëzit e Angela Merkel.
Kreu i PD u zotua se brenda dy vitesh do nisë ndërtimin e Rrugës së Arbrit dhe do hapë Universitetin në Dibër.
“Edi Rama kishte 4 vite, 16 miliardë euro dhe nuk mbajti asnjë premtim sepse nuk kishte prioritet prioritetet tuaja, por qejfet, tekat dhe interesat e tij. Ishte pa plan, është pa plan ndaj dhe shkoi kuturu. Kuturu i rriti taksat, kuturu i rriti çmimet, e groposi ekonominë. Prap vjen me të njëjtat premtime. Nuk ka plan dhe të njëjtat gjëra do bëjë dhe taksat nuk do të ulen, por do të rriten. Pas 4 viteve qeverisje të tij, gjysma e Shqipërisë do të ikë. Kjo është e vetmja mundësi me Edi Ramën dhe me Rilindjen”, tha Basha.
Mundësia tjetër, shtoi ai, është vota për Republikën e Re.
“Unë nuk vij me premtime. Unë vij me plan dhe në qendër të planit nuk është timoni apo pushteti im, por është timoni juaj, fati juaj në duart tuaja. Është motori, ekonomia e fortë pa të cilën nuk mund të ketë të nesërme të sigurtë. Ekonomia mund dhe do të rritet vetëm me uljen e taksave”, tha Basha.
Kreu i dmeokratëve tha se dita e dielë është dita e votës për të rinjtë, fermerët, pensionistët, bizneset për të vendosur për fatin e tyre.
Top Channel