
Në Top Story Petrit Vasili u pyet në lidhje me qëndrimin e mbajtur nga LSI më 17 maj para takimit të partive parlamentare, takim që ishte edhe pikënisja e marrëveshjes Rama-Basha.
Kryetari i LSI-së thotë se ky qëndrim i mbajtur atë ditë ishte domosdoshmëri nisur nga fakti që vendi po u drejtohej zgjedhjeve pa opozitën. Ai thotë se pikërisht zgjedhjet pa opozitën kanë qenë edhe qëllimi i Rilindjes.
“Skenari i Rilindjes ishte që të bëhej gjithçka që të shkonim në zgjedhje pa opozitën. Kjo ishte e qëllimshme. Në vumë në dispozicion gjithçka, edhe mandatet në Kuvend për zgjidhjen e krizës. 17 maji ishte një pikë zhvillimi, ku nuk mund të ecej më dhe që duhej zgjidhur kriza”, thotë ai.
Fill pas kësaj, Ramës e Bashës iu deshën dy seanca takimesh kokë më kokë për disa orë që të gjenin gjuhën e përbashkët dhe të arrinin marrëveshjen, marrëveshje që Vasili thotë se “i çuditi”.
“E vetmja gjë që na çuditi është fakti sesi fokusi themelor për të bërë një qeveri që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme devijoi në ca lëvizje që të pakuptimta. Një nga elementët e paketës McAllister ishte edhe ndryshimi i gjithçkaje në kupolën drejtuese të Policisë së Shtetit, për të patur një polici profesionale dhe të paanshme që do të garantonte procesin. Kjo nuk ndodhi dhe nga policia kaloi tek OSHEE, ALUIZNI, Hipotekat e me radhë”, deklaroi ai.
Këto lëvizje dhe më pas edhe lëvizjet dhe sjellja e task forcës së qeverisë të dalë nga pakti Rama-Basha, Vasili thotë se kanë një objektiv.
“Sjellja e task forcës së famshme dhe e ministrave dhe personave që u emëruan tregojnë qartë që targeti ishte për të goditur LSI, që i vuri në një pozicon mjeran para publikut. LSI nuk u shqetësua nga kjo, por ata treguan një vizion politik tërësisht negativ dhe devijuan në klientelizma politikë”, deklaroi ai.
Kreu i LSI-së komentoi edhe sulmet ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, që Ilir Meta në më shumë se një rast e ka quajtur “Haki Droga”.
“Ky ka bërë gjithçka për ta merituar këtë përcaktim”, u përgjigj ai.
Top Channel