Turizmi në Voskopojë, shtohen turistët dhe kapacitetet pritëse

21/06/2017 00:00

Fshati turistik i Voskopojës ka shtuar kapacitetet pritëse për turistët këtë vit. Sipas administratorit të kësaj njësie administrative, numri i turistëve është shtuar.

“Kapaciteti pritës për Voskopojën këtë vit ka një rritje prej rreth 50 dhomash, nga 200 në 250, të cilat mund të kenë deri në 700 shtretër. Sivjet kemi pasur një numër të konsiderueshëm turistësh. Risia e këtij viti është rritja e numrit të turistëve të huaj, sidomos grupe nga Greqia, Maqedonia, Çekia apo Holanda”, thotë Luan Fidani, administrator.

Në fshat po investohet në kalldrëme të reja dhe në mjedise sportive, por edhe pse një vend i bukur, turistët kërkojnë më shumë.

“Vijmë nga Bari. E lexuam në guidë që ka shumë kisha dhe afreske, edhe pse këto të fundit janë pak të errëta. Nuk e di nëse nga zjarri apo lagështia, por në të vërtetë është shumë bukur këtu. I vetmi problem është që mezi orientohemi. Duhet të pyesim gjithnjë majtas-djathtas, se nga duhet të shkojmë”, thotë një turist italian.

“Është një fshat turistik shumë i bukur. Kam ardhur këtu për shkak të fjalëve të mira që kam dëgjuar”, tha një tjetër turist, grek.

Përveç monumenteve kulturore dhe klimës, Voskopoja tërheq çdo vit gjithnjë e më shumë turistë, edhe për shkak të mikpritjes lokale dhe gatimeve tradicionale.

Top Channel