Përplasja mes simpatizantëve në Dibër, arrestohet polici

21/06/2017 00:00

Një punonjës policie i Drejtorisë për Kufirin dhe Migracionin, në Portin e Durrësit, është arrestuar nga shërbimet policore të Dibrës, në bashkëpunim me strukturat e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, i akuzuar për “shpërdorim të autoritetit policor”.

Demir Deda, 26-vjeçari i lindur në Dibër e banues në Durrës, është arrestuar pasi pak pas mesnatës së sotme është përfshirë në një konfrontim verbal e fizik midis simpatizantëve të dy subjekteve politike, të ndodhur në rrugën e fshatit Ushtelenxë, në njësinë administrative Tomin të Bashkisë së Peshkopisë.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, forca të shumta policie të Drejtorisë vendore të Dibrës, të mbështetura nga FNSH-ja, ndërhynë dhe parandaluan përshkallëzimin e situatës, normalizimin e saj dhe kryerjen e veprimeve proceduriale për të përfshirët.

Shkak për arrestimin e Demir Dedës u bë gjetja e një arme zjarri, tip pistoletë, e gjetur gjatë kontrollit të automjetit “Range Rover” të drejtuar prej policit të Portit të Durrësit, edhe pse ai deklaroi se e mbante me leje për shkak të detyrës si punonjës policie.

Në ngjarjen e mesnatës ishte edhe një automjet “Land Rover”, me mbishkrime e logo të një subjekti politik, por pas kontrollit të tij nuk u gjet asnjë send apo material i kundërligjshëm.

Materiale proceduriale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër janë referuar edhe për shtetasit D.R., 36 vjeç nga Peshkopia, M.Z., 27 vjeç dhe K.S., 23 vjeç, që të dy nga fshati Ushtelenxë, të cilët akuzohen për “prishje të qetësisë publike” dhe “kanosje”.

Top Channel