
Në takimin me elektoratin në Berat, ish-kryetari i LSI-së, Ilir Meta deklaroi se më 25 qershori, beratasit “nuk do të votojnë cirkun e Rilindjes”.
“Në këto katër vjet pamë jo sesi bëhet shteti, por sesi bëhet qameti, sesi përdoret policia, pamë sesi në 4 vjet hendeku dhe padrejtësia sociale është shtuar në këtë vend, ndaj Berati tani është për drejtimin e ri”, tha Meta.
Sipas Metës, programi i LSI-së do t’i japë një hov të ri ekonomisë, bujqësisë dhe punësimit, veçanërisht tek të rinjtë.
“Berati është për pesëfishimin e buxhetit për bujqësinë, është për dhjetëfishimin e subvencioneve në bujqësi, për subvencionimin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për të gjithë punëdhënësit që marrin të rinj e të reja për herë të parë në punë, është për programe dhe kredi të buta deri në 2 përqind për të rinj dhe të reja që hapin një sipërmarrje për të punësuar dhe vetëpunësuar”, vijoi ai.
Ish-kreu i LSI-së tha se LSI është forca e vetme që bashkon të majtën dhe foli edhe për pritshmëritë që ka kjo parti në Qarkun e Beratit.
“Nuk dua të dëgjoj jo do të marrim tre, jo do të marrim katër. Ne do të marrim pesë deputetë dhe Tomit e Xherrit do t’u lëmë vetëm nga një deputetë sa për shenjë. Ne jemi socialistë, por ne jemi edhe demokratë”, tha Meta.
Top Channel