
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako ka pritur këtë të mërkurë në një takim delegacionin e policisë italiane, të kryesuar nga zv.drejtori Antonio Cufalo.
Qëllimi i takimit ishte vijimësia e zbatimit të protokollit operativ për fluturimet ajrore, të nisura nga 15 maji; memorandumi i bashkëpunimit për patrullimet e përbashkëta gjatë sezonit turistik; si dhe protokolli i bashkëpunimit për luftën kundër terrorizmit dhe trafiqet e paligjshme.
Në fjalën e tij, kryepolici Haki Çako ka theksuar konsolidimin e raporteve të shkëlqyera mes Policisë shqiptare dhe asaj italiane, bashkëpunimi mes të cilëve është konkretizuar dhe qartësuar, duke realizuar me sukses prioritetet dhe objektivat e përbashkëta të të dy policive.
“Në këtë kuadër, prej vitesh Autoriteti i Policisë italiane në Shqipëri ka qenë jo vetëm i pranishëm, por edhe aktiv. Prani që ka ndërthurur bashkëveprimin në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të ndryshme, organizimit dhe goditjes së grupeve kriminale, të kapjes së personave në kërkim, por edhe të luftës kundër radikalizmit dhe terrorizmit. Prej kohësh, zyra ndërlidhëse e Interforzës në Shqipëri bashkëpunon në kohë reale dhe të shpejtë me Autoritetet Policore shqiptare në shkëmbimin e informacionit, në kryerjen e operacioneve të përbashkëta, por edhe në koordinimin dhe në mbështetjen e të gjitha veprimeve policore dhe proceduriale penale”, tha ndër të tjera Haki Çako.
“Më lejoni ta konsideroj si një mbështetje shumë të fuqishme të Policisë shqiptare, Interforzën këtu, por edhe drejtimin e saj sa profesional, aq edhe të unifikuar, në qëndrimet policore me Policinë shqiptare. Po kështu mund të themi se i suksesshëm dhe i jashtëzakonshëm ka qenë bashkëpunimi dhe koordinimi me ‘Guardia di Finanza’-n në të gjitha aspektet. Sot ne mund të krenohemi që pothuajse të gjitha operacionet ndahen dhe bashkëveprohet në mënyrë të menjëhershme. Të vendosur gjeografikisht në një pozicion në të cilin jemi, të bashkërenduar në luftë kundër trafikimit normal, që kontrolli i detit ka qenë dhe mbetet një nga objektivat kryesore të Policisë shqiptare, sidomos në menaxhimin e kufijve. Jam shumë i bindur që bashkëpunimi ynë i shkëlqyer deri më tani do të vazhdojë dhe do të jetë shumë herë më i suksesshëm”, shtoi më tej Çako.
Veç nënkryetarit të policisë, njëkohësisht drejtor i Policisë Kriminale, në takim ishin pjesëmarrës edhe drejtori i Shërbimeve të Përgjithshme në Shërbimin e Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Policisë italine (SCIP), Carlo Verdiglione, komandanti i Forcave Ajrore-Detare të “Guardia di Finanza”-s, si dhe ambasadori i Italisë në vendin tonë, Alberto Cutillo. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të qendrës “BENECON”, të misionit “PAMECA V”, të zyrës “UCI Albania Interforze”, të “NUFROM”-it, etj.
Zv.drejtori i Policisë italiane, Antonio Cufalo ka falënderuar drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako, për gatishmërinë, seriozitetin, besueshmërinë dhe profesionalizmin e treguar, çfarë ka sjellë një bashkëpunimin mjaft të shkëlqyer mes dy policive.
“Keni mbështetjen e plotë të Italisë dhe përgëzime për të gjithë punën, përpjekjet dhe rezultatet e arritura nga Policia shqiptare, si dhe nga bashkëpunimi dypalësh. Jemi të gatshëm dhe të bindur të vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim”, ka thënë Cufalo.
Top Channel