Kakavijë, sekuestrohen 39 kg kanabis
21/06/2017 08:20
Policia Kufitare e Kakavijës ka sekuestruar 39 kg kanabis sativa, në rrugën drejt liqenit të Kakavijës.
Gjatë patrullimit në kufirin e gjelbër, policia ka konstatuar 3 persona, dy prej të cilëve transportonin dy çanta shpine. Menjëherë, policia është vënë në ndjekje të këtyre personave, ku u është bërë thirrje për të ndaluar. Por, të tre shtetasit, duke përfituar nga terreni i thyer dhe i pyllëzuar, kanë mundur të largohen duke braktisur dy çantat.
Në brendësi të çantave kishte 39 kg kanabis. Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Policia po punon për identifikimin dhe kapjen e këtyre personave.
Top Channel