
Pas parkimit te sheshi “Skënderbej”, Tiranës i është shtuar edhe një tjetër parkim publik nëntokësor, te “Bulevardi i ri”, i cili ofron edhe mundësi parkimi për qytetarët. Parkimi nëntokësor do t’u shërbejë si atyre që vijnë në Tiranë përmes këtij aksi, edhe banorëve të zonës që frekuentojnë institucionet përreth.
Në dyvjetorin e zgjedhjes si kryetar i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, si dhe deputeti i PS-së Ervin Bushati, inspektuan këtë të mërkurë ambientet e parkimit nëntokësor të ndërtuar në “Bulevardin e ri” të Tiranës, i cili ka një kapacitet prej 328 vendesh dhe, duke nisur nga sot, është në shërbim të qytetarëve.
Veliaj vlerësoi transformimin që ka pësuar Tirana në kaq pak kohë, duke mundësuar realizimin e projekteve, të cilat deri para pak kohësh as që mund të mendoheshin.
“Sot hapim një pjesë të dytë të projektit të bulevardit, i cili është parkingu i dytë nëntokësor në Tiranë, pas atij te sheshi ‘Skënderbej’. Dy vite më parë as imagjinohej që Tirana të kishte disa parkingje nëntokësore. Sot hapim të dytin, ndërkohë që brenda vitit do të fillojmë parkingun pranë stadiumit ‘Qemal Stafa’, te sheshi ‘Italia’, për të zgjidhur edhe aty problemin e parkingut. Sot është një ditë shumë e veçantë për mua, sepse bëhen fiks dy vite nga zgjedhja ime si kryetar bashkie, kur populli i Tiranës më bekoi me punën më të bukur që një njeri mund të ketë në jetë, t’i shërbejë qytetit të vet. Më vjen mirë që ky investim përkon me këtë ditë shumë të shënuar dhe shumë emocionale për mua”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës tha se ky investim, përveçse do të ndihmojë në zgjidhjen e çështjes së parkimit për shumë qytetarë, do të lehtësojë edhe trafikun e makinave, që vështirësohet shpeshherë prej parkimeve të gabuara nëpër rrugë. Parkingu i ri nëntokësor ka 328 vende parkimi dhe ofron kushte të larta sigurie për makinat. Në të ofrohet mundësia e karikuesve për makinat që funksionojnë me energji elektrike.
Duke iu referuar ceremonisë së mbrëmshme të hapjes së segmentit të parë të “Bulevardit të ri”, Veliaj theksoi se ai moment ka për të hyrë në histori, ndërsa shtoi se tashmë, Bashkia e Tiranës është duke punuar edhe për përcaktimin e prioriteteve të zhvillimit të kësaj zone.
“Sigurisht është hera e parë, që ndërtojmë fillimisht shtyllën kryesore të bulevardit, pra të gjithë infrastrukturën nëntokësore dhe mbitokësore, përpara se të vijojë zhvillimi. Ne tashmë jemi në një situatë, ku po përgatisim të gjitha planet e detajuara vendore për një pjesë të madhe të zhvillimeve që do të ndodhin në këtë zonë, një pjesë rezidenciale, por shumica tregtare, për biznesin, ambiente zyrash, banka, hotele, etj.”, tha Veliaj.
Top Channel