Basha: S’ka timon, por motor. Pakti i Shkodrës, mallkim për Ramën e Metën

21/06/2017 00:00

Kryetari i PD, Lulzim Basha është takuar të mërkurën edhe me qytetarët e Shkodrës në kuadër të fushatës elektorale.

Në bashkëbisedimin e zhvilluar, Basha ka theksuar se ulja e taksave është thelbësore për investimet e brendshme e të huaja dhe vetëm kështu, sipas tij, rritet ekonomia.

Basha u ka kërkuar qytetarëve të Shkodrës të votojnë masivisht ditën e dielë dhe të zgjedhin programin e Partisë Demokratike, si zgjedhja e vetme për të rritur ekonominë.

“Me datë 25 qershor, këtë të dielë të madhe, të këtij bashkimi gjigand të shqiptarëve, ju që nuk e keni ndarë mendjen nuk do të votoni për asgjë tjetër përveçse nëse do të kemi një ekonomi të forte, apo jo. Nëse do të kemi taksa të ulëta që të rrisim ekonominë, apo jo. Nëse paratë e shqiptarëve do të shkojnë për shkollat e fëmijëve, për shëndetësinë e familjarëve, për Universitetin e Shkodrës dhe rininë me stazhe pune apo për fasada, palma, zyra e për makina. Kjo është zgjedhja që bëni në datën 25 dhe për këtë zgjedhje, ju shkodranë akoma të pavendosur dhe kushdo në Shqipëri që nuk e ka vendosur ende për votën; keni një alternativë, një plan ekonomik, me vulat e këshilltarëve të Angela Merkel, që është plani ekonomik i Partisë Demokratike. Plan për uljen e TVSh-së që do të çlirojë 400 milionë euro në ekonomi, për taksën e sheshtë 9%, me uljen e çmimit të energjisë, me faljen e kamatvonesave abusive për të gjithë shqiptarët, me heqjen e lakut në fyt, represionit dhe terrorit mbi biznesin e vogël. Ulja e taksave është thelbësore për investimet e brendshme dhe të huaja, vetëm kështu rritet ekonomia. Ky është mësimi i Europës. Ky është mësimi i Gjermanisë. Kjo është përpjekja e Presidentit Donald Trump. Ky është programi i Partisë Demokratike dhe ky është zotimi im para shqiptarëve”, ka deklaruar Basha.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta