Basha në veri, lavde Berishës: Unë si ai, lider epokal

21/06/2017 00:00

Lulzim Basha i kërkoi elektoratit të qarkut Kukës, me 3 mandate, të ndëshkojnë me votë Edi Ramën më 25 qershor për diskriminimin dhe harresën 4 vjeçare, duke e shpërblyer qeverinë me të njëjtën monedhë.

“A bëri gjë për ju në këto 4 vite Edi Rama?! Zero vende pune, zero subvencione, zero ndihmë. Prandaj duhet t’i nxirrni me zero deputetë”, tha Basha.

Nga Kukësi, kreu i opozitës kishte një paralajmërim për çdokënd që synon të blejë votat.

“E garantoj këtu, nga ky shesh: Ju pret burgu i pamëshirshëm. Asgjë nuk e ndal fitoren tonë ditën e diel”, u shpreh Basha.

Në qarkun e Kukësit bën pjese dhe Tropoja, një rast ky që Lulzim Basha e shfrytëzoi për të bërë një premtim të madh.

“Përfaqësuar nga simbolet e ndryshimit, tribuni i demokracisë Azem Hajdari dhe lideri i ndryshimit epokal, Sali Berisha. Sot jam këtu, përkulem me respektin më të thellë ndaj punës dhe sakrificës suaj dhe t’iu them se jam gati t’iu drejtoj për një ndryshim tjetër epokal”, tha kreu i Partisë Demokratike.  

Basha shpjegoi se cili është ndryshimi i premtuar. “Ndryshimi për të cilin votoni më 25 qershor është ndryshimi ekonomik, taksat e ulëta, ulja e TVSH-së është largimi njëherë e mirë i terrorit mbi sipërmarrjen dhe njerëzit e thjeshtë”, shpjegoi Basha.

Kreu i opozitës beson se pjesëmarrja e lartë në votime do t’i japë fitoren e sigurt e Partisë Demokratike.

“Asnjë të mos mbetet pa votuar. Merrini edhe të majtët e zhgënjyer me vete dhe bëjini pjesë të Republikës së Re”, u shpreh Basha.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta